Ish-kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, nga Haga ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Thaçi tha se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë është e domosdoshme, por sipas tij, ndërkombëtarët do të duhej t’i ndreqnin gabimet të cilat tha se ndodhën në këtë proces viteve të fundit,
“Marrëveshja finale Kosovë-Serbi është e domosdoshme. Ndërkombëtarët do duhej të ndreqnin gabimet që ndodhën në këtë proces gjatë viteve të fundit. Ata, me ose pavetëdije, dialogun mes Kosovës e Serbisë lejuan që të shndërrohet në kauza elektorale në vendet përkatëse, kjo jo që nuk solli përmirësim mes këtyre dy shteteve dhe popujve, por futi përçarje edhe në politikën dhe brenda shoqërive të të dy vendeve. Ky proces mund të ketë sukses veç kur do të ketë agjendë dhe merr kuptim të qartë perëndimor”, u shpreh Thaçi.
Tutje, ish-udhëheqësi i bisedimeve Kosovë-Serbi tha se deri para pak vitesh, relacionet mes Kosovës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare e kishin një kthjelltësi monumentale, por tani jo.
“Deri para pak vitesh relacionet Kosovë me bashkësinë ndërkombëtare kishin një kthjelltësi monumentale. Sot sikur po ndodhë një zvetënim moral dhe politik”, tha ai.