Përveç titullit të katërt në histori, Drita është edhe në kërkim të trajnerit për ta zëvendësuar të dorëhequrin e para disa ditëve, trajnerin Arsim Thaqi.
Thaqi dha zyrtarisht dorëheqje nga posti i trajnerit te Drita, pas barazimit 0:0 në udhëtim te Dukagjini, barazim ky që e zbriti ekipin gjilanas në vendin e dytë.
Trajneri nga Malisheva, Arsim Thaqi është deklaruar për lajmi.net rreth dorëheqjes nga Drita.
Thaqi ka thënë se dorëheqja e tij nga “bardhekaltrit” ishte e pashmangshme. Ai zbuloi një kërkesë të tij, të cilën klubi nuk e aprovoi.
“Ne kemi qenë në objektiv me Dritën. Nuk e kemi humbur objektivin, por ka qenë e pashmangshme largimi. Unë kam pranuar punën me lojtarë që ka marrë dikush tjetër. Klubi i ka lëshuar edhe disa lojtarë për të cilët kam refuzuar. Kam kërkuar të nënshkruajë edhe me një ndihmës-trajner, gjë që klubi nuk e ka aprovuar”, ka thënë Thaqi të mërkurën për lajmi.net.
Ky largim i trajnerit vjen në kohën kur kanë mbetur edhe disa xhiro drejt përfundimit të kampionatit, e ku Drita është në garë të ngushtë për titull të kampionit me Ballkanin.
Drita në njoftim tha se Thaqi ofroi dorëheqje të parevokueshme, anise ata, sipas tyre, i dhanë mbështetje trajnerit për vazhdimësinë e kampionatit.
“Arsim Thaqi jep dorëheqje të parevokueshme. Pas shumë diskutimeve, kryesia e klubit i ofroj trajnerit mbeshtetje për vazhdimin e rrugëtimit drejt synimit të klubit por që trajneri ishte i vendosur për këtë vendim dhe kryesia e klubit u detyrua ta respektojë vendimin e trajnerit Arsim Thaqi për t’ia pranuar dorëheqjen”, thuhet në njoftimin e klubit.
Kur janë zhvilluar 29 ndeshje deri më tani, Drita ka 57 pikë në pozitën e dytë, vetëm një më pak se Ballkani lider.