Thaqi: Trajnerin e mbajnë rezultatet, çdo ndeshje si finale për Dritën

Thaqi: Trajnerin e mbajnë rezultatet, çdo ndeshje si finale për Dritën

Kryetrajneri i Dritës, Arsim Thaqi gjatë një konference për media ka folur në lidhje me ndeshjen derbi kundër Prishtinës.

Drita do të udhëtoj në Lipjan për t’u ndeshur me Prishtinën në derbin e madh të futbollit kosovar e që i takon javës së 21-të kampionale në Superligën e Kosovës në futboll.

Thaqi vlerësoi Prishtinën para takimit duke thënë se ata janë ekip i madh. Por, sipas trajnerit, çdo pikë e lëshuar nga Drita është e parikuperueshme në garë për titull të kampionit.

“Pas fitores gjërat gjatë javës shkojnë shumë mirë qoftë për trajnerin qoftë për lojtarët janë më të motivuar dhe të angazhuar në stërvitje për t’i marr informacionet për ndeshjen e radhës. Prishtina është ekip i madh me histori në futbollin e Kosovës dhe do të qasemi me seriozitetin maksimal. Ne kemi analizuar Prishtinën dhe dukë lënë anash humbjet e kundërshtarit ne duhet të fokusohemi te loja jonë dhe të bëjmë më të mirën në ndeshje. Ata dijnë të organizohen dhe në moment të caktuar të bëjnë kthesa, prandaj çdo ndeshje është si finale dhe duhet fitohet. Lojtarët besoj e kanë kuptuar cili është qëllimi jonë. Çdo pikë e humbur për ne është e parikuperueshme”, ka thënë Thaqi në konferencë për media, shkruan Demokracia.com.

“Pozita e trajnerit dihet, jo vetëm në Kosovë trajnerin e mbajnë në ekip rezultatet. E di se çfarë është presioni dhe menaxhimi i tij, duhet të fokusohemi te mënyra e lojës dhe puna që bëjmë që të arrijmë te rezultati. Kam besim që kemi lojtarë që dijnë ta kenë qetësinë dhe durimin e duhur në momente të caktuara në mënyrë që ta mbajmë ritmin deri te ndeshjet vendimtare dhe direkte. Mendoj se edhe neser duhet të jetë me rëndësi dhe t’i marrim ato ndeshje pas ndeshje”, tha tutje Thaqi.

Drita pozicionohet në vendin e dytë me 41 pikë, tri më pak se Ballkani lider. Prishtina ka 27 pikë dhe renditet në pozitën e katërt.

Related Articles