Therja me thikë në Prizren, dyshohet se ndodhi për motive xhelozie

Therja me thikë në Prizren, dyshohet se ndodhi për motive xhelozie

Gjykata Themelore në Prizren më 18 tetor të kë viti ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit se me thikë 13 centimetra ka sulmuar gruan e tij dhe vajzën e saj 12-vjeçare në Prizren, duke iu shkaktuar lëndime të rënda.

Betimi për Drejtësi ka siguruar vendimin e Gjykatës, në të cilin është përshkruar se si ka ndodhur rasti deri te i cili dyshohet se erdhi për shkaqe xhelozie.

Sipas vendimit, më 17 tetor 2025 pas mesnatës, në banesën familjare në Prizren, i pandehuri pas një mosmarrëveshje paraprake me bashkëshorten, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta atë dhe vajzën 12-vjeçare.

“…pas një fjalosje të shkurtër për shkak të problemeve familjare xhelozie, i pandehuri nxjerrë një thikë, me ngjyrë të zezë, me një gjatësi tehu prej 13 cm dhe godet të dëmtuarën SS disa herë me thikë në dy parakrahët, në gjoks dhe në bel, ndërsa të miturën NN po ashtu e godet me thikë në pjesën e gjoksit në anën e majtë të belit, lëndime këto të shkaktuara me rrezikshmëri për jetën e tyre”, thuhet në vendim.

Po ashtu, në vendim thuhet se i dyshuari me datë, kohë dhe vend të njëjtë, posedoi thikën 13 centimetra, me të cilën tentoi t’i privojë nga jeta të dëmtuarat.

Gjykata ka ardhë në përfundim se nga veprimet e përshkruara si në kërkesën e Prokurorisë dhe provat në shkresat e lëndës, ka bazë të mjaftueshme për caktimin e masës së paraburgimit dhe kjo masë iu caktua atij deri më 16 nëntor 2025.

Sipas Gjykatës, fakti se ende nuk janë dëgjuar të dëmtuarat, dëshmitarët okularë dhe nuk është bërë ende grumbullimi i provave materiale, është po ashtu arsye shtesë që atij t’i caktohet paraburgimi.

Edhe fakti se vepra është kryer në ambient familjar dhe të dëmtuara janë viktima të ndjeshme dhe se janë në gjendje të rëndë shëndetësore, si dhe mënyra e kryerjes së veprës, Gjykata vlerëson se përbëjnë rrethanë rënduese që nënvizon rrezikun e lartë shoqëror të të pandehurit.

Aty thuhet se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës apo kryerjes së ndonjë vepre tjetër penale me epilog edhe më të rëndë.

Related Articles