Komuna e Malishevës njoftoi sot se në kuadër të realizmit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), po vazhdon me fushatën e dezinsektimit kundër rriqrave, në zonat endemike.
Në njoftimin për media thuhet se kjo fushatë e dezinsektimit është duke vazhduar dhe po realizohet sipas planifikimit në zonat që konsiderohen endemike dhe në zonat ku janë shënuar më shumë raste të thumbimeve nga rriqrat.
“Sipas shtabit komunal për menaxhimin e situatës me EHKK në Komunën e Malishevës, realizimi i fushatës së dezinsektimit, është duke vazhduar sipas planifikimit dhe deri më tani nuk janë shënuar pengesa në realizimin e dezinsektimit, si dhe kjo është pritur mirë nga ana e qytetarëve në vendbanimet ku është realizuar dezinsektimi”, thuhet në komunikatën media.
Po ashtu, bëhet e ditur se pavarësisht rasteve të thumbimeve nga rriqrat, të cilët janë bartës të EHKK-së, deri më tani nuk është shënuar asnjë rast i infektimit me këtë virus.