“T’i ngrehin zvarrë”, Supremja rrëzon ankesën e VV-së për Sami Lushtakun

“T’i ngrehin zvarrë”, Supremja rrëzon ankesën e VV-së për Sami Lushtakun

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidatit të saj për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku, lidhur me pretendimet për thirrje dhe nxitje të dhunës gjatë fushatës zgjedhore.

LVV kishte kërkuar që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të shqiptonte masa ndëshkuese ndaj PDK-së dhe Lushtakut, pasi më 13 shtator ky i fundit deklaroi në një emision televiziv se “qytetarët duhet të dalin në rrugë dhe të protestojnë, madje t’i ngrehin zvarrë ata që nuk e respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.

Sipas LVV-së, kjo përbënte shkelje të nenit 34 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike.

Megjithatë, PZAP e kishte refuzuar ankesën, duke theksuar se deklarata nuk ishte e drejtuar ndaj ndonjë subjekti politik të caktuar dhe nuk përbënte nxitje të drejtpërdrejtë për dhunë.

Suprema konfirmoi të njëjtin qëndrim, duke vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme që deklaratat e Lushtakut të kenë cenuar rregullat ligjore të fushatës. Sipas aktgjykimit, pretendimet e LVV-së janë “të pabazuara dhe të paqëndrueshme juridikisht”.

Me këtë vendim, Gjykata Supreme i dha fund kontestit, duke lënë në fuqi vendimin e PZAP-it të datës 17 shtator 2025.

Related Articles