Ndonëse drejtuesit e Fiorentinës u bënë thirrje tifozëve të tyre që të mos shajnë serbin, Dushan Vlahoviqin gjatë ndeshjes me Juventusin, nuk ka dyshim se sulmuesi serb do të goditet nga ultrasët e Violës që i kanë kënduar deri vonë.
Këtë e ka bërë të qartë koordinatori i klubit të tifozëve të Fiorentinës, Federico de Sinopoli, i cili në një intervistë për ‘Radio Punto Nuovo’ tha se tifozët nuk do të heshtin kur Viola të presë Juven në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Italisë të mërkurën natën.
“I gjithë qyteti ndihet i tradhtuar nga Vlahoviqi, siç na ka ndodhur më parë me Bernardescin dhe Chiesan. Të tre kaluan shkollën tonë rinore, por nuk e pranuan kurrë atë identitet të Violës”, tha De Sinopoli dhe shtoi:
“Heshtja nuk është një opsion. Firence është një qytet shumë “me zë”, kështu që ngritja e supet indiferente nuk është në ADN-në tonë. Do të ketë reagime, fishkëllima apo brohoritje, nuk e di, por sigurisht që do të ketë. Tifozët e Fiorentinës e dinë gjithashtu se do ta ketë më të lehtë për skuadrën e tyre nëse e lëkundin psikologjikisht Juventusin. Dhe kjo është pjesë e futbollit”.
Ndryshe, Fiorentina dhe Juventusi do të përballen sonte në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Italisë.