Tifozëve të Meksikës në Botëror u kërkohet t’i lënë “tekillat” në shtëpi

Tifozëve të Meksikës në Botëror u kërkohet t’i lënë “tekillat” në shtëpi

Mijëra meksikanë që do të shkojnë në Katar janë paralajmëruar të lënë pijen e njohur “tekilla” në shtëpi. Autoritetet kërkojnë të shmangin një përplasje kulturore gjatë Kupës së Botës në shtetin mysliman të Gjirit.

Tifozët nga shteti i Amerikës Latine pritet të përbëjnë një nga kontigjentet më të mëdha në Botërorin që fillon pas një muaji.

“Na pëlqen të këndojmë, të pimë dhe të kërcejmë gjatë gjithë kohës”, tha tifozi Hector Chavez, i njohur si Caramelo, i cili ka marrë pjesë në dhjetë Kupa Botërore me kapelën (sombrero) e tij të famshme.

Meksikanët që duan argëtim janë të mirëpritur në Doha me kusht që të respektojnë disa rregulla, tha biznesmeni, i quajtur nga Emiratet “ambasador” i tifozëve.

“Është e ndaluar të futet alkool në Katar”, tha Chavez, i cili do të festojë ditëlindjen e 60-të në vendin e Lindjes së Mesme, ku pirja e alkoolit në publik është e paligjshme.

Alkooli do të shitet në zona speciale rreth tetë stadiumeve të turneut para dhe pas ndeshjeve, në një zonë tifozësh të FIFA-s dhe në disa zona të caktuara. Por çmimi i birrës – disa herë më i lartë se në Meksikë – mund të jetë vështirë i përballueshëm për fansat. Chavez është përpjekur të parashikojë çdo problem të mundshëm me tifozët rivalë, ku Meksika do të përballet me Argjentinën, Poloninë dhe Arabinë Saudite në fazën e grupeve.

“Unë e njoh përfaqësuesin e tifozëve argjentinas. Nëse ndodh diçka, mund ta thërras për t’i qetësuar trupat e tij”.

Meksika pret që 80.000 qytetarë të saj të vizitojnë Katarin. Ata kanë paguar nga 14.000 deri në 20.000 dollarë për një paketë që përfshin fluturimin, akomodim dhe biletat për tri ndeshjet e fazës së grupeve, sipas shoqatës së agjencive të udhëtimit në Meksikë.

“Shumë tifozë kursejnë për katër vjet për të qenë në gjendje të marrin pjesë në Kupën e Botës”, tha presidenti i saj, Eduardo Paniagua Morales.

Do të jetë numri më i madh i meksikanëve që kanë zbritur në një vend të Lindjes së Mesme me fe, gjuhë dhe ligje të ndryshme, tha ministri i Jashtëm, Marcelo Ebrard.

“Ne nuk mund të marrim ‘tekilla’ në bagazhin tonë”, paralajmëroi kryediplomati ndërsa njoftoi masat që synojnë të shmangin telashet.

Rreth 15 anëtarë të Gardës Kombëtare, të paarmatosur dhe pa uniformë, do të jenë në Katar për të vepruar si ndërlidhës mes tifozëve dhe autoriteteve të Katarit. Një qendër e posaçme ndihme do të ketë personel nga zyrtarë meksikanë për të trajtuar çdo problem.

Meksikanët zakonisht janë një nga grupet më të mëdha të tifozëve të huaj në Kupa të Botës. 15.000 shkuan në Afrikën e Jugut në vitin 2010, 34.000 në Brazil në 2014 dhe 44.000 në Rusi në vitin 2018. Jo të gjithë e kanë mbuluar veten me lavdi.

“Një meksikan i dehur shoi flakën e përjetshme të ushtarit të panjohur në Francë në vitin 1998 duke urinuar mbi të”, tha Chavez, duke e quajtur incidentin “të egër”.

Në Afrikën e Jugut në vitin 2010, një meksikan u arrestua pasi u përpoq të vendoste një “sombrero” në një statujë të heroit Nelson Mandela. Më tragjikisht, një burrë meksikan vdiq pasi u hodh nga një anije turistike që transportonte tifozë në brigjet e Brazilit në vitin 2014.

Në shtëpi, Federata Meksikane e Futbollit ka kërkuar të godasë thirrjet homofobike në stadiume nga frika se vendi do të humbasë rolin e tij si mikpritës i përbashkët i Kupës së Botës 2026. FIFA e ka sanksionuar Meksikën 17 herë për fyerje kundër homoseksualëve, të cilat shpesh dëgjohen nëpër stadiumet e këtij vendi. Pavarësisht entuziazmit të tyre, tifozët meksikanë gjatë nuk e kanë parë ekipin e tyre të përparojë në çerekfinale. Këtë Meksika e arriti vetëm në Meksikë në vitet 1970 dhe 1986.

“Është një bazë tifozësh shumë e përkushtuar për një ekip që rrallë i ka përmbushur pritjet”, tha autori meksikan Juan Villoro. “Por nëse do të kishte një Kupë Bote për tifozët, Meksika do të arrinte në finale”.

Related Articles