Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i është kundërpërgjigjur asamblistit të Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi pasi ky i fundit e thumboi Hazirin duke i uruar pensionimin pas fitores së VV-së në Gjilan, raporton Gazeta Enigma.
Haziri ka thënë se Ismajl Kurteshi është “pensionisti më i madh në Gjilan që pas 13 vjetësh po hyn në punë”.
“Në fund të këtij muaji e marr detyrën e re me përgjegjësi në subjektin politik ku jam nënkryetar i parë. Pensionimi politik s’ka ndodhur në rastin tim, ata që mund t’i gëzohen një beteje të humbur unë mund vetëm t’i mirëkuptoj sepse pensionisti më i madh në Gjilan pas 13 vjetëve po hyn në punë dhe ndoshta kjo është pritja që e ka pasë. Nëse një administratë e re fillon me punësimin e pensionistëve atëherë e then ditën e parë premtimin dhe mandatin përçka ka ardhë këtu”, ka thënë Haziri dje në një konferencë për media.
Ai tutje u shpreh se tigri prej letrës nuk e ka friku askënd.
“Politikisht kam qenë gjithmonë korrekt dhe do të jem deri në fund, po flasim për një gjendje paszgjedhore ku bjen tensioni zgjedhor, bijnë slloganet zgjedhore, bjen edhe komunikimi zgjedhor. Tani jemi në një situatë të re ku duhet të mendojmë se si të ecim përpara dhe të mos tregohemi hakmarrës me deklarata dhe iniciativa e fundja edhe me statusa në facebook, sepse tigri prej letrës kërkon se ka friku asnjëherë në jetë të vet”, ka thënë ai.
Ndryshe, Ismajl Kurteshi ka shkruar në Facebook pas balotazhit të 14 nëntorit duke i uruar pensionimin Lutfi Hazirit pasi ky i fundit humbi në garën me Alban Hysenin e VV-së.
“Urime Pensionimi Lutë, Baci”, kishte shkruar Kurteshi.