TikTok-u bëhet sërish i qasshëm në Shqipëri

TikTok-u bëhet sërish i qasshëm në Shqipëri

Qeveria e Shqipërisë rihapi zyrtarisht të enjten rrjetin social TikTok.

Një muaj pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi se ndalimi 1-vjeçar i Tik Tok, nuk do zgjatet më shumë, Këshilli i Ministrave, vendosi heqjen e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit, pas adresimit të problematikave në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital.

Në vendim i rekomandohet Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të ndërmarrë veprimet e nevojshme për rikthimin e aksesit në platforme, duke respektuar dispozitat ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.

Në vendimin e zbardhur thuhet se masa parandaluese shërbeu për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me platformën, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie, filtra mbrojtjes përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.

Paralelisht qeveria po punon për hartimin e një plani komunikimi dhe ndërgjegjësimi tek fëmijët të rinjtë, prindërit dhe mësuesit për përdorimin e sigurt të platformave online.

Vendimarrja vjen pas një konsultimi me kompaninë ndersa me heret kreu I qeverisë ka konfirmuar partneritetin me platformën për masat e reja mbrojtëse.

TikTok u ndalua në Shqipëri në mars të vitit 2025 pas konsultimeve të shumta në lidhje me abuzimet online dhe vetëvrasjeve që dyshohet se ishin të lidhura me përdorimin e platformës.

Por ngjarja që i dha shtysën përfundimtare vendimit ishte vrasja me thikë e 14 vjeçarit Martin Cani pranë shkollës Fan Noli në kryeqytet, pas një sherri që nisi pikërisht në rrjetet sociale.

Pas asaj tragjedie të rëndë shumë ngritën pikëpyetje nëse duhet të ketë rregulla më të ashpra për përdorimin e TikTok sidomos nga të miturit.  Dhe tashmë që shqetësimet janë adresuar, platforma do të funksionojë sërish në Shqipëri.

Related Articles