Policia ka arrestuar një 42-vjeçar në Tiranë, pasi akuzohet se ka dhunuar bashkëjetuesen e tij.
Sipas uniformave blu, shtetasi me iniciale A.Ll., dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij dhe ka tentuar të djegë atë dhe banesën e tyre.
“Arrestohet shtetasi A. Ll., 42 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, si dhe ka tentuar të djegë atë dhe banesën e tyre“, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit D. V., 18 vjeç dhe M. L., 18 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 u gjetën një sasi të dyshuar narkotike Kokaine.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasit:
-A. Ll., 42 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, si dhe ka tentuar të djegë atë dhe banesën e tyre;
-A. Ç., 46 vjeç, me detyrë administrator i një firme ndërtimi, pasi ditën e djeshme, duke punuar, ka rënë nga lartësia e një objekti në fazë ndërtimi punëtori shtetasi Q. B., 43 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit L. M., 36 vjeç, D. L., 32 vjeç dhe M. K., 42 vjeç, pasi për motive të dobëta kanë goditur me grushte shtetasin R. C.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-arrestuan shtetasin S. V., 63 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., 33 vjeç, me detyrë përgjegjes sigurie të një firme ndërtimi, pasi gjatë punës aksidentalisht është dëmtuar punëtori shtetasi B. H., 46 vjeç, i cili mori ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. S., 49 vjeç, pasi për motive të dobëta ka goditur një shtetase.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin A. L., 39 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëjetueses së tij si dhe ka thyer urdhërin e mbrojtjes ndaj babait të saj.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan shtetasin K. K., 42 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjëndje të dehur;
-arrestuan shtetasin A. A., 40 vjeç, pasi në Arbanë, ka humbur drejtimin e automjetit të cilin dyshohet se e drejtonte në gjëndje të dehur dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke u përplasur me një shtyllë. Aktualisht 40-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin e mitur 16 vjeç, pasi ka humbur kontrollin mbi automjetin të cilin dyshohet se e drejtonte pa leje, dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke përplasur një automjet të parkuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.