Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci këtë të enjte e ka shkarkuar nga detyra nënkryetaren e Komunës, Natasha Tomaniq. Kjo e fundit ka shpërthyer me akuza ndaj tij, raporton Gazeta Enigma.
Tomaniq ka deklaruar se vendimi për shkarkimin e saj ka qenë i pritur, derisa ka theksuar se është ndjerë e diskriminuar nën udhëheqjen e kryetarit Peci.
Tutje ajo e ka akuzuar kryetarin e Zveçanit për keqpërdorim të parasë publike.
“Këtë e kam pritur ,meqë nga dita e parë ka pasur diskriminim, jo vetëm ndaj meje por ndaj gjithë serbëve. E kam pritur edhe për faktin se kam ditur se çfarë malverzime po bëhen, duke filluar nga kontratat mbi vepër, ndihmat sociale, tek projektet e të tjera. Çdo gjë që ka thënë kryetari është gënjeshtër. Në fakt ,asgjë s’po punohet por vetëm po harxhohen paratë e buxhetit”, ka thënë ajo për Radio Dukagjini.
Gjatë ditës kryetari Ilir Peci e ka arsyetuar shkarkimin e Tomaniqit, duke thënë se i ka kaluar disa herë kompetencat e saj në punë.
Sipas tij ajo ka bërë presion të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve serbë në komunë te Zveçanit, ku si rrjedhojë tre zyrtarë serbë kanë dhënë dorëheqje ditëve të fundit.
Ndërsa si shkas i fundit për shkarkimin e saj është thënë se ka qenë një marrëveshje që nënkryetarja ka bërë me një kompani italiane për një objekt që është në pronësi të komunës se Zveçanit.