“Europe House Kosovo”, e njohur si shtëpia e Evropës, në Prishtinë do të organizojë një event i cili ka për qëllim mbështetjen e më shumë se 20 organizatave të shoqërisë civile dhe mediave.
Sipas njoftimit zyrtar të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, eventi do të zgjasë dy ditë, me 16 dhe 17 qershor, në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.
“Për të kontaktuar publikun dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin e tyre në krijimin e një shteti më të drejtë, më demokratik, dhe shoqërinë gjithëpërfshirëse”, thuhet në njoftimin zyrtar të zyrës së BE-së në Kosovë.
Ngjarja dy ditore është titulluar “BE për Shoqërinë Civile dhe Mediat në Kosovë: Angazhimi Qytetar” i cili ka për qëllim të ndihmojë OJQ-të që të promovojnë rezultatet më të rëndësishme të punës së tyre dhe të inkurajojnë publikun të përfshihen në jetën politike dhe shoqërore përmes aktivizimit qytetar dhe vullnetarizmit, krijimin e një shoqërie të drejtë, demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë.
“Shoqëria civile dhe organizatat mediatike janë një nga partnerët kryesorë të BE-së në avokimin për reforma dhe promovimin e perspektivës së BE-së për Kosovën”, tha ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Kosova gëzon një peizazh pluralist mediatik dhe një mjedis të favorshëm për zhvillimin e organizatave transparente dhe të përgjegjshme të shoqërisë civile. BE-ja mbetet e përkushtuar që të angazhohet me akterët e shoqërisë civile në nxitjen e progresit social, promovimin e të drejtave themelore dhe mbikëqyrjen e punës së qeverisë për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”, përfundoi Tomas Szunyog.