“Dhe meqenëse ato mëkatet e viti 2013 dhe 2015 që të tjerët e kanë nënshkruar Asociacion, Albin Kurti nuk po mundet me i heq, sepse janë bërë obligime ndërkombëtare”.
I sigurt deklaroi kështu avokati Tomë Gashi në RTV Dukagjini, gjersa po përgjigjej në pyetjen se “a do ta implementojë kryeministri Albin Kurti, Asociacionin”, draftin e të cilit para pak ditësh ishte i gatshëm ta nënshkruajë, në udhëtimin tij të fundit në Bruksel.
Gashi shtoi se “lojë shumë të mirë diplomatike” është duke e bërë Kurti në dialog, dhe nuk është si qeveritarët e kaluar.
“Unë besoj që duke pasur parasysh këtë situatë, nuk do të kemi Asociacion në këtë formën që po propozohet, por loja diplomatike shumë e mirë e Albin Kurtit që po thotë, “nënshkruaji ti të gjitha në pako”, jo siç do të thotë me marrë vetëm diçka që po kërkon Serbia, po Serbia nuk po e do as këtë draft të Asociacionit. Ajo po thotë diçka që është nënshkruar, e nënshkrim në dyja draftet ka bërë vetëm me qeveritarët e kaluar”, ka thënë Gashi.
E, draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i publikuar nga ish-inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani, nuk ka kompetenca ekzekutive ka theksuar avokati Gashi.
Avokati Gashi tha se nuk po sheh asnjë kompetencë ekzekutive dhe se nuk beson se dikush mund të gjejë diçka në kundërshtim me ligjet e Kosovës në draft-statutin e publikuar nga Ramadani “përveç se dikush mundet me spekulu”.
“Edhe nëse ky është drafti final, që i është dhënë kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, prapë kush e lexon prej nenit të parë deri te neni i fundit, nuk është ai Asociacion me kompetenca ekzekutive. Dhe gjithçka është në kuadër të administratës së pushtetit lokal. Unë nuk po shoh këtu asnjë kompetencë ekzekutive”, shtoi Gashi.
“Edhe nëse ky draft do të jetë final prapë do të jetë në kuadër të pushtetit tonë. D.m.th. të administratës lokale të Republikës së Kosovës. Nuk besoj se dikush mundet me gjet përveç se mundet me spekulua, prej nenit të parë deri në nenin e fundit që ka diçka në kundërshtim me ligjet tona. Për t’i ikur çdo keqkuptimi dhe dyshimi, ky draft-statut ose ai i ardhshmi që do të vjen, do të shkojë në Gjykatën e Kushtetuese dhe pa e dhënë miratimin apo bekimin ajo ne mundemi me shkrua drafte, me i publiku”, ka thënë Gashi.