Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, njëherit kandidat për këtë pozitë, tha se Prizreni po hyn në një fazë të re zhvillimi turistik me projektin e teleferikut.
Totaj tha se pas përfundimit të studimit të fizibilitetit, projekti po hyn në fazën finale të përgatitjeve për leje ndërtimi.
“Prizreni do ta ketë teleferikun e vet gjatë mandatit të dytë. Studimi i fizibilitetit ka përfunduar nga Agjencia Qeveritare Zvicerane dhe jemi në përgatitjet finale për të kërkuar leje”, tha Totaj.
Ai theksoi se teleferiku do të jetë një shtyllë e re e zhvillimit ekonomik dhe turistik të qytetit, duke e lidhur qendrën me Kalanë e Prizrenit në mënyrë moderne dhe të qëndrueshme.
“Ky projekt është atraksion turistik i Kosovës, jo vetëm i Prizrenit. Do të jetë një arsye më shumë që turistët vendorë dhe ndërkombëtarë ta vizitojnë qytetin tonë historik gjatë gjithë vitit”, u shpreh Totaj.
Teleferiku i Prizrenit pritet të ndërtohet në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore. Projekti synon të krijojë një lidhje të re mes trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit modern të qytetit, duke ruajtur identitetin historik të Prizrenit.
“Prizreni do të vazhdojë të jetë shembull i zhvillimit dhe i turizmit kulturor që lidh historinë me modernitetin”, përfundoi Totaj.