Trafikimi i drogës, kërcënimi kryesor për sigurinë e Evropës

Trafikimi i drogës, kërcënimi kryesor për sigurinë e Evropës

Autoritetet evropiane të sigurisë paralajmërojnë se krimi i organizuar i lidhur me drogën është bërë sot rreziku më i madh për kontinentin, duke tejkaluar edhe terrorizmin.

Dokumentari investigativ “Trafikimi i Drogës, Helmi i Evropës”, transmetuar në Arte, tregon se si ky fenomen është i rrënjosur thellë në ekonominë e globalizuar.

Porti i Roterdamit mbetet pika kryesore hyrëse për kokainën në Evropë. Me mijëra kontejnerë që vijnë çdo ditë, kontrolli i tyre është pothuajse i pamundur. Sipas ekspertëve, rreth 90% e kokainës që kalon këtu shpërndahet më pas në gjithë BE-në. Kriminologët theksojnë se rrjetet janë aq fitimprurëse dhe të sofistikuara, saqë sekuestrimet nuk mjaftojnë: nëse nuk çmontohen strukturat kriminale, trafiku vazhdon pa u ndalur.

Diferenca kolosale mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes në tregun evropian e bën këtë aktivitet “stadin më të dhunshëm të kapitalizmit”, siç thonë autorët e dokumentarit. Grupet kriminale nuk hezitojnë të përdorin dhunë ekstreme dhe të krijojnë aleanca të përkohshme për të mbajtur kontrollin e tregut.

Fenomeni prek gjithnjë e më shumë vende si Franca, Belgjika dhe Suedia, ku autoritetet pranojnë se reagimi politik ka qenë i ngadaltë dhe i pamjaftueshëm. Globalizimi po i ndihmon këto rrjete, pasi tregtia e paligjshme shkrin lehtësisht gjurmët brenda tregtisë së ligjshme.

Ekspertët paralajmërojnë se Evropa po përballet me një “cunamii” kriminal dhe se lufta kundër trafikimit të drogës është një garë me kohën./Albinfo.ch

Related Articles