Trafiku Urban në Prishtinë ka njoftuar se si pasojë e masave të fundit të qeverisë kundër pandemisë COVID-19, janë detyruar të bëjnë një reduktim të orarit të qarkullimit të autobusëve, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Pas miratimit të masave të reja të miratuara nga Qeveria e Kosovës, edhe Trafiku Urban në Prishtinë ka ndrruar orarin e qarkullimit që të jetë në përputhje me masat anti-COVID, të cilat nga kjo e shtunë kanë hyrë në fuqi.
Nga data 22 janar deri më 4 shkurt 2022 autobusët e linjave të Trafikut Urban do të qarkullojnë deri në 21:30 kur bëhet edhe nisja e fundit.
“Njoftim për reduktimin e orarit të qarkullimit të autobusëve! Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë të datës 21.01.2022 lidhur me masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 ju njoftojmë se se nga data 22 janar 2022 deri më 4 shkurt 2022, kufizohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00 dhe nisja e fundit do të realizohet në ora 21:30”, thuhet në njoftim./Gazeta Enigma/