Të paktën 30 persona kanë humbur jetën pas shembjes së një grumbulli të madh mbeturinash në deponinë Dar Es Salam në Conakry, kryeqytetin e Guinesë.
Sipas autoriteteve, shirat e rrëmbyeshëm që nisën rreth orës 02:00 të së dielës përmbytën deponinë dhe shkaktuan rrëshqitjen e mbeturinave, të cilat varrosën disa kasolle dhe shtëpi në afërsi, raporton CNN.
Gjashtë persona u plagosën rëndë, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë operacionin për gjetjen e personave të mbijetuar. Si pasojë e katastrofës janë shkatërruar edhe disa shtëpi.
Dar Es Salam është deponia më e madhe e hapur në Conakry dhe ishte planifikuar të mbyllej pikërisht të dielën. Banorëve përreth u ishin dërguar më herët njoftime për largim dhe shumë prej tyre e kishin braktisur zonën, por disa familje vazhdonin të jetonin aty në momentin e shembjes.
Ministrja e Administrimit Territorial dhe Decentralizimit, Dienabou Touré, deklaroi nga vendngjarja se autoritetet do të sigurojnë zhvendosjen e familjeve që kanë mbetur pranë deponisë.
Guinea ka rezerva të mëdha mineralesh, përfshirë depozitat më të mëdha të boksitit në botë. Megjithatë, sipas Bankës Botërore, rreth 43.7 për qind e popullsisë së vendit jeton nën kufirin kombëtar të varfërisë.
