Tragjedi në Irak: Të paktën 60 të vdekur nga zjarri në një qendër tregtare

Tragjedi në Irak: Të paktën 60 të vdekur nga zjarri në një qendër tregtare

Një zjarr shkatërrues ka përfshirë një qendër tregtare pesëkatëshe në qytetin juglindor të Kutit, rreth 160 kilometra nga Bagdadi, duke lënë të vdekur të paktën 60 persona dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën në mbrëmje, vetëm shtatë ditë pas hapjes së qendrës tregtare “Corniche”, që tani është shndërruar në një vend zie.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Irakut, mes viktimave ka edhe 14 trupa të djegur që nuk janë identifikuar ende, ndërsa shumë prej jetëve të humbura janë regjistruar në banjat e ndërtesës, ku qytetarët kishin kërkuar strehim nga flakët.

“Do të ketë pasoja ligjore për neglizhencën që mund të ketë ndodhur. Nuk mund ta pranojmë që qendra të tilla të hapen pa respektuar standardet e sigurisë,” – ka deklaruar guvernatori rajonal Mohammed al-Miyahi, duke e cilësuar ngjarjen si “një tragjedi dhe një fatkeqësi”.

Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë flakë që përfshijnë katet e sipërme të ndërtesës dhe qytetarë që kërkojnë shpëtim nga çatia. Zjarrfikësit janë parë duke u përpjekur të shpëtojnë sa më shumë njerëz.

Sipas autoriteteve, janë shpëtuar 45 persona, ndërsa ambulancat vazhdojnë të transportojnë të plagosurit në spitalet e qytetit.

Shkaku i zjarrit ende nuk dihet, por hetimet janë tashmë të hapura. Ndërkohë, në rajon janë shpallur tre ditë zie zyrtare.

Related Articles