Tragjedi në Meksikë, 64 viktima nga përmbytjet e frikshme që kanë goditur vendin

Tragjedi në Meksikë, 64 viktima nga përmbytjet e frikshme që kanë goditur vendin

Reshjet e dendura të shiut dhe lumenjtë e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Meksikën qendrore dhe lindore, ku raportohet për viktima dhe dëme të mëdha materiale

Lumenjtë e rrëmbyeshëm kanë përmbytur fshatra të tëra, kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe kanë shkatërruar rrugë e ura ndërsa numri i viktimave po rritet me shpejtësi.

Autoritetet meksikane njoftuan se të paktën 64 persona kanë humbur jetën, ndërsa 65 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pas reshjeve të dendura që kanë përfshirë vendin ditët e fundit.

Sipas Laura Velázquez, kreut të autoriteteve të mbrojtjes civile, përmbytjet kanë goditur më rëndë shtetet Veracruz, Hidalgo dhe Puebla. Numri i viktimave është rritur me 17 vetëm në 12 orët e fundit, çka tregon përmasat e rënda të katastrofës natyrore.

Presidentja Claudia Sheinbaum bëri të ditur se mijëra forca të ushtrisë dhe të shpëtimit janë vendosur në terren, së bashku me anije, aeroplanë dhe helikopterë, për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe në shpërndarjen e ndihmave.

Mbi 10 mijë trupa ushtarake janë angazhuar në zonat më të goditura, ndërsa dhjetëra strehimore janë hapur për familjet që janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Meksika është përballur me reshje jashtëzakonisht të dendura gjatë gjithë vitit 2025, duke shënuar edhe rekorde historike të shiut në kryeqytetin Mexico City.

Related Articles