Koalicioni për Familjen ka njoftuar se i ka anuluar të gjitha aktivitetet e fushatës zgjedhore për sot (02.02.2025).
Kjo për shkak të rastit tragjik që ndodhi dje, më 01.02.2025, në Jabllanicë të Gjakovës, ku si pasojë e shembjes së një objekti, vdiqën tre të mitur.
Udhëheqësi i Koalicionit për Familjen, Eman Rrahmani, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
“Shprehim ngushëllimet më të thella për familjet Mehmeti, Rama dhe Morina me rastin e ndërrimit tragjik të jetëve të djemve tanë e të tyre duke e lutur Zotin e Madhërishëm që t’ua shton durimin dhe besimin, të merr në ngrohtësinë e tij shpirtrat e të rinjve dhe të zbutë me mëshirën e tij dhembjen e pamatshme të gjithë Kosovës e Shqiptarisë. Njoftojmë opinionin që me rastin e kësaj ngjarje të rëndë e tragjike me përmasa kombëtare kemi anuluar të gjitha aktivitetet parazgjedhore për ditën e sotme.”- ka thënë ai.
Prokuroria Themelore në Gjakovë përmes një komunikate për media ka thënë se është duke punuar për zbardhjen e rastit tragjik.