Ish-shefi i policisë në komunitet, Arjan Tase, do të përballet në gjykatë me akuzën e ‘Vrasjes me dashje’ dhe jo për ‘Vrasje e kryer nga pakujdesia’.
Kjo është akuza me të cilën prokuroria do dërgojë në gjykatë për ish-efektivin, që paraditen e 2 Gushtit duke drejtuar një mjet lundrues goditi për vdekje 7-vjeçaren, Jonada Avdia.
Ashpërsimi i akuzës së ngritur ndaj ish-shefit të policisë, vjen pas verifikimit të pamjeve filmike në vendngjarje dhe dëshmive të pushuesve.
Grupi hetimor ka konkluduar se Arjan Tase ka patur mundësi për të parandaluar aksidentin fatal në një zonë të dedikuar për pushuesit.
“Disa nga pushuesit e kanë paralajmëruar se rrezikonte jetët e tyre me afrimin e skafit ne breg”, thuhet në konkluzionet e prokurorisë.
Referuar kodit penal me akuzën që pritet të përballet në Gjykatën e Vlorës, ish-efektivi rrezikon dënimin nga 10 deri në 20 vite burg.
Përballja e parë me togat e zeza pritet të bëhet paraditen e së premtes, ku ish-efektivi Tase do të njihet me masën e sigurisë dhe faktet e provat e mbledhura nga grupi hetimit.
Fillimisht ndaj ish-efektivit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Vlorës ngritën akuzën e ‘Vrasjes së kryer nga pakujdesia’, vepër kjo për të cilën kodi penal parashikon nga gjobë deri në 5 vite burgim.