Janë përcjellë sot për në banesën e fundit tre pjesëtarët e familjes nga Tirana, të cilët u mbytën tragjikisht në plazhin e Vilë Bashtovës në Kavajë, dje 9 korrik.
Babai 50 vjeç, dhe dy djemtë e tij të mitur 13 dhe 16 vjeç humbën jetën teksa kishin shkuar të kalonin të dielën në plazh.
Ceremonia mortore në nderim të tyre u mbajt rreth orës 13:00 në Tiranë. Babai hyri në det për të shpëtuar një nga dy fëmijët e tij që po rrezikonte të mbytej, për fat të keq u mbytën të tre.
Ajo që mbetet shqetësuese është se dhe në këtë rast tragjedia mund të ishte shmangur nëse do të funksiononte roja bregdetare, por si gjithmonë atëherë kur duhen dhe aty ku duhet të jenë roja bregdetare mungon thuajse gjithmonë.
Policia njoftoi sot se vuri në pranga administratorin e pjesës së plazhit të Vilë-Bashtovës, ku humbën jetën nga mbytja në det, 3 shtetas, babai me dy djemtë e mitur.
Arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të parcelës së plazhit të marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit).