Grupi i parë prej 45 personave të lënduar në zjarrin në klubin “Puls” në Koçan e përfundoi rehabilitimin në pushimoren e MPB-së në qendrën malore Ponikva.
Në filim të javës së ardhshme do të arrijë grupi i ri, i cili këtu do të marrë kujdes dyjavor mjekësor dhe terapi fizikale, ndërsa do të përfshihen edhe persona me patologji respiratore, të cilëve tanimë u ka përfunduar mjekimi.
“Në vijim është dezinfektimi i ambienteve në objektet ku kanë qëndruar personat, si dhe po spërkatet me ilaç kundër mushkonjave, gjë që po përgatitet për grupin e dytë të të lënduarve. Ata pritet të mbërrijnë në Ponikva të martën dhe të akomodohen në pushimoren, ndërsa tanimë është përgatitur lista për grupin e tretë për rehabilitim. Qëndrimi në mal është i mirë për të rinjtë e lënduar dhe ka një ndikim pozitiv në rehabilitimin e tyre – si fizikisht, ashtu edhe mendërisht. Një pjesë prej tyre po vazhdojnë përgatitjet për dhënien e provimeve në fakultete, e ata që kanë qenë të punësuar më parë tashmë ndihen të gatshëm të kthehen në vendet e tyre të punës. Një djalë që u lëndua në zjarrin në ‘Puls’ ka aplikuar në shpalljen për t’u bërë vullnetar në Shoqatën vullnetare të zjarrfikësve në Koçan”, tha Katerina Mirçovska, drejtoreshë e Spitalit të përgjithshëm me veprimtari të zgjeruar në Koçan.
Për rehabilitimin e të lënduarve në Ponikva kujdesen mjekë specialistë nga Klinika për kirurgji plastike nga Shkupi, si dhe fizioterapistë nga Koçani dhe Shtipi, të cilët ua ofrojnë kujdesin e nevojshëm shëndetësor dhe ushtrimet e fizioterapisë.
Pothuajse të gjithë personat e lënduar kryejnë aktivitete fizike dhe përdorin fushat e pajisura sportive, ndërsa janë përfshirë edhe në sistemin “Termini im”.