Politikania serbe, Rada Trajkoviq, është ndaluar nga policia serbe në pikëkalimin kufitar me Kosovën, në Merdar, ka bërë të ditur vetë ajo në një shkrim në Twitter. Trajkoviq ka thënë se kjo konfirmon që për “Policinë e Vuçiqit/Vulinit, kufiri i Serbisë është padyshim në Merdar”.
Trajkoviqit ditë më parë iu ndalua edhe fluturimi në Aeroportin “Nikola Tesla”. Kjo për shkak se, siç thotë ajo, të një padie që ia ka bërë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq. Ndërkaq në një deklaratë të shkurtër për “KoSSev”, Trajkoviq ka thënë se edhe ndalimi i së premtes ishte për të njëjtat arsye.
“Dhe prapë tash. Jam ndaluar në pikëkalimin administrativ për në Kosovë, në Merdar, nga policia serbe”, ka shkruar ajo në Twitter. “Për policinë e Vuçiqit/Vulinit, kufiri i Serbisë është padyshim në Merdar. Sërish nuk më lejojnë të kaloj kufirin”.
Zëvendëspresidenti i Listës Serbe e kishte paditur Trajkoviqin në Gjykatën e Lartë të Beogradit më 2019 për “dëm të reputacionit dhe nderit”. Pasi kishte publikisht dyshimet se Radojçiq ishte i përfshirë në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq në veri dhe se është lider i mafisë në veri të Kosovës, Trajkoviqit në padi Radojçiqi ia kërkoi pesë milionë dinarë kompensim. Në gusht të vitit të kaluar, padia e Radojçiqit u refuzua si e pabazuar dhe Trajkoviqi jo vetëm që s’pagoi kompensim, por sipas vendimit Radojçiqi u obligua t’ia paguante shpenzimet e gjykatës.
Radojçiq është pjesë e listës së të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.