Politikania serbe, Rada Trajkoviq ka komentuar sërish marrëveshjen e arritur të shtunën (27 gusht 2022), në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me letërnjoftimet.
Përmes një postimi në Twitter, Trajkoviq shkroi se ekipi i Serbisë ka dështuar që ta kushtëzojë marrëveshjen për dokumente me themelimin e Asociaiconit të Komunave Serbe.
“Është e padiskutueshme që Kosova fitoi duelin diplomatik për dokumentet. Ekipi ynë negociator humbi shansin për ta kushtëzuar marrëveshjen për reciprocitetin të paktën me formimin e ASK-së”, ka shkruar Trajkoviq.
Ajo ka shtuar se kryeministri Kurti nuk është i gatshëm për kompromise.
“Kurti është inkurajuar dhe nuk do të jetë edhe më i gatshëm për kompromis. Kjo duhet të shqetësojë të gjithë ata që kanë për qëllim një Kosovë multietnike”, u shpreh Trajkoviq.
Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve.
Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.