Trajneri i ekipit turk të futbollit Sivasspor, Riza Çalimbay, ka folur për ndeshjen me Ballkanin, ndërsa ka theksuar se qëllimi i tyre mbetet kthimi me pikë nga Kosova, ani pse dy nga lojtarët e skuadrës së tij janë të lënduar.
Çalimbay, ka shpalosur pikëpamjet e tij karshi ndeshjes me ekipin nga Kosova, duke shtuar se të gjitha skuadrat kanë shanse të njëjta të kalojnë tutje, shkruan CNN Turk.
“Kjo ndeshje është një nga ndeshjet më të mira për ne për të dalë nga grupi. Të gjitha skuadrat kanë katër pikë, asnjë ekip nuk ka avantazh”, ka thënë Çalimbay.
“Mund të ketë lodhje në ekipin tonë, dy lojtarë janë lënduar dhe nuk kemi asnjë problem tjetër përveç kësaj. Gjithë synimi ynë është të marrim pikë nga Kosova. Të largohemi me pikë pra”, ka shtuar ai.
Trajneri turk, rëndësi i ka kushtuar edhe ndeshjeve të tjera, të cilat do t’i luajë ekipi i tij në kohët në vazhdim.
“Ndeshja ndaj Slavia Pragë do të jetë një ndeshje finale për ne. Por fillimisht duhet të fitojmë edhe ndeshjen ndaj CFR Cluj që do ta luajmë në fushën tonë, pra mund të dalim nga ky grup”, ka shtuar ai.
Ballkani e ka mposhtur Sivassporin para një jave në Turqi me rezultat 4-3, ndërkaq ndeshja e radhës do të luhet këtë të enjte në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të Ligës së Konferencës.