Një thirrje telefonike nga përzgjedhësi i Suedisë, Janne Andersson, ka bërë që mbrojtësi Edvin Kurtulush të bindet për të luajtur për përfaqësuesen suedeze, përkundër që ishte ftuar nga Kosova. Këtë e ka zbuluar vetë përzgjedhësi Andersson, i cili të hënën ka dhënë intervistë në prag të ndeshjeve që Suedia i luan muajin tjetër në kuadër të Ligës së Kombeve.
Andersson ka pranuar se e vlerëson lart Kurtulushin, i cili ka regjistruar 12 paraqitje me ekipin U21 të Kosovës, ku edhe ishte kapiten në ndeshjet e fundit të kësaj gjenerate. Andersson ka falënderuar krerët e Hammarbyt, pjesë e së cilës skuadër është Kurtulushi, që e kishin njoftuar se 22-vjeçar ishte ftuar për herë të parë nga Përfaqësuesja A e Kosovës.
Në fakt Andersson ka thënë se meritat më të mëdha që Kurtulushi ka zgjedhur ta përfaqësojë Suedinë para Kosovës në nivelin senior, i ka Jesper Jansson, drejtori sportiv i Hammarbyt. Andersson pranon se në momentin që është njoftuar se Kurtulush ishte ftuar nga Kosova A, ka reaguar. Selektori suedez ka thënë se Kurtulush është aq lojtar i mirë saqë meriton të jetë pjesë e Suedisë.
“Në fillim kam menduar se Kurtulush do të luajë me Përfaqësuesen U21 të Kosovës, por kur dëgjova se është ftuar nga ekipi A, kam reaguar menjëherë. Ai është një lojtar shumë i mirë dhe padyshim se e ka vendin te Suedia”, ka insistuar Andersson. “Unë e telefonova dhe fola me Edvinin. Kjo bëri që ai të zgjidhte Suedinë para Kosovës. Realisht duhet ta falënderoj Jesper Jansonin që më njoftoi paraprakisht dhe na ndihmoi që ta bëjmë ekipin e Suedisë edhe më të mirë”.
Mediumet suedeze kanë zbuluar se Kurtulush kishte marrë telefonatë edhe nga kapiteni i Suedisë, Victor Lindelof. Lindelof, i cili është pjesë e Manchester Unitedit, të hënën është tërhequr nga ndeshjet e muajit qershor për shkak të një lëndimi. Dhe gjasat janë të mëdha që ai të zëvendësohet nga Kurtulushi, i cili po të hënën mori lejen e FIFA-s për të ndërruar përfaqësuesen. Federata e Futbollit e Suedisë ka njoftuar se Kurtulush menjëherë të hënën mbrëma u bashkua me përfaqësuesen suedeze, të cilës i mungon edhe mbrojtësi i majtë, Martin Olsson.
Në qershor, Suedia do t’i luajë katër ndeshje në kuadër të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Do të takohet me Slloveninë (2 qershor) në udhëtim, përpara se të përballet me Norvegjinë (5 qershor), Serbinë (9 qershor) dhe sërish Norvegjinë, më 12 qershor.
“Problemi më i madh për ne ka qenë që lojtarët kanë luajtur deri për gjeneratën U21 dhe pastaj kanë zgjedhur një vend tjetër, duke në lënë një shije të hidhur. Tani Edvini na ka zgjedhur ne edhe pse ka luajtur për Kosovën në U21 dhe jam i lumtur për këtë”.
Edicionin e kaluar, Kurtulush ka luajtur si mbrojtës i krahut të djathtë te Halmstadi, kurse këtë edicion te Hammarby po luan si qendërmbrojtës.
Andersson e ka shikuar Kurtulushin në pesë ndeshjet si qendërmbrojtës për t’u bindur që ta ftojë te Suedia.
“Ka një fizik shumë të mirë dhe këtë edicion është përballur me sukses me disa prej sulmuesve më të mirë të kampionatit. Ai është i fortë dhe luan mirë me këmbë. Ai ka shumë cilësi që duhet t’i ketë një mesfushor. Pra, përshtatet shumë mirë te Suedia”, ka insistuar Andersson. “E kam përcjellë edhe te Halmstadi, por te Hammarby është zhvilluar edhe më tej. Jam kurioz ta shoh te ne pasi mendoj se do të jetë një lojtar i rëndësishëm”.
Andersson ka theksuar se kanë pasur edhe më herët interesim për Kurtulushin, i cili në vitin 2020 zgjodhi të luante për Kosovën U21.
“Kur Poya Asbaghi ishte në krye të ekipit U21 të Suedisë, ai e kishte ftuar Kurtulushin. Por, ai nuk donte ta bënte zgjedhjen e tij atëherë sepse nëse do të kishte luajtur për Suedinë do të ishte bllokuar”, shtoi Andersson.
Edhe pse ka lindur në Suedi, Kurtulush pati thënë se prejardhjen e ka nga Prizreni. Ai te Kosova U21 ka debutuar në shtator të vitit 2020. Pasi nuk ka luajtur te përfaqësuesja A e kishte të drejtën e ndërrimit të përfaqësueses. Dhe këtë e bëri.