Trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi ka thënë se gabimet e pjesës së dytë janë të pafalshme për ekipin e drejtuar nga ai.
Megjithatë, Idrizi ka shtuar se ka besim se Trepça ’89 mund ta sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit të Kosovës.
“E kishim përgatitur mirë ndeshjen, krijuam raste, qëlluam shtyllën dhe kishim posedimin e topit. Por, pësuam gol, ndërsa u munguam ta barazojmë rezultatin në pjesën e dytë. Dëshira për të barazuar rezultatin bëri që në pjesën e dytë të bëjmë gabime, që janë të pafalshme. Megjithatë, derisa matematika të na lejoj, gjasat për mbijetesë janë edhe për neve. Na presin katër sfida të vështira dhe kam thënë edhe më herët se çdo pikë është e vlefshme për ne. Nuk duhet të mendojmë se gjithçka ka përfunduar. Do të luftojmë deri në fund që Trepça ’89 të mbetet në Superligë”, ka thënë Idrizi.