Policia e Kosovës ka bërë me dije se me datën 18.11.2025 rreth orës 12:30, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari N. Tërziu, i cili ka sjellë një portofol të gjetur nga tre fëmijët R.T (12 vjeçe), A.T (11 vjeç) dhe D.T (11 vjeç), nxënës të një shkolle në Ferizaj.
Portofoli, sipas Policisë, ishte gjetur në një rrugë të qytetit.
“Brenda në portofol janë gjetur dokumente personale dhe 614 euro. Pas verifikimeve, policia ka arritur të identifikojë pronaren, B.M. nga Ferizaj, e cila është paraqitur menjëherë në stacion dhe ka konfirmuar se të gjitha dokumentet dhe paratë ishin të paprekura. Ato i janë kthyer me procesverbal zyrtar”, u tha në njoftimin e Policisë.
Pronarja ndërkaq, sipas PK-së, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim të sinqertë ndaj tre fëmijëve dhe familjes së tyre për gjestin e ndershëm, si dhe ndaj Policisë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj falënderon publikisht fëmijët R.T, A.T dhe D.T për veprimin e tyre human, edukativ dhe shembullor, që pasqyron vlera të larta morale, familjare dhe qytetare. Ky gjest mbetet një shembull frymëzues për të gjithë fëmijët dhe qytetarët tanë mbi ndershmërinë dhe përgjegjësinë shoqërore”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.
