Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pasi tre kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë dyshohen se kanë marrë para nga pacientët për të kryer operacionet.
MSh-ja tha se përmes Bordit të ShSKUK- së, sot pasdite ka pranuar njoftimin zyrtar nga Spitali i Vushtrrisë, “Shekih Zajed” së tre kirurgë tashmë një kohë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion.
“Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK janë në dispozicion të organeve të hetuesisë në mënyrë që procesi i hetimeve të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë, dhe njëkohësisht përmes mekanizmave brenda institucioneve ditëve në vijim do të ndërmarrim të gjitha masat e parapara ligjore”, thuhet në reagimin e MSh-së.
Të hënën, Gazeta Shneta raportoi se paratë nga rreth 150 deri në 400 Euro, siç rrëfejnë pacientët dhe familjarët në katër video, mjekët i kanë marrë në emër të blerjes së materialit (kryesisht rrjeta dhe klipa) të nevojshëm për operacion.
Në mesin e kirurgëve është Isuf Zekaj – shef i kirurgjisë në SP Vushtrri dhe anëtar i Bordit Drejtues të SHSKUK-së, dhe dy kirurgët Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj.
Të njëjtit po hetohen edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.