Tre kosovarë akuzohen në Gjermani se i grabitën një pensionisti afro 240 mijë euro

Tre kosovarë akuzohen në Gjermani se i grabitën një pensionisti afro 240 mijë euro

93-vjeçar dhe shumë i relaksuar. Viktima e grabitjes në Neufahrner ishte shumë i qetë para gjykatës. Me fjalët se ka përjetuar shumë në jetë, ai e pranoi edhe kërkimfaljen e të pandehurve. Dy kosovarë 33-vjeçarë akuzohen se ia kanë vjedhur pensionistit 240 mijë euro, raporton “Merkur.de”.

Informata se çfarë kishte në shtëpi erdhi pikërisht nga nipi i 93-vjeçarit.

Ai kishte biseduar me një të njohur derisa ishte i dehur. Sipas rrëfimeve të dy kosovarëve, ata ishin rekrutuar nga i njohur i nipit të pensionistit për ta kryer vjedhjen. Pasi njëri nga kosovarët e pranoi këtë në ditën e parë të gjykimit, personi që kishte ideuar planin u arrestua. Edhe ai është kosovar.

Dy kosovarët 33-vjeçarë akuzohen për grabitje të rëndë në bashkëpunim.

Edhe i akuzuari i dytë e ka konfirmuar se kishte hyrë në shtëpinë e pensionistit 93-vjeçar më 27 janar të vitit 2021 nga ora 3:30 deri në ora 4:00. Njëri kishte hyrë nga dritarja dhe më pas kishte hapur derën për tjetrin. Bashkatdhetari, që i rekrutoi, i kishte siguruar ata se nuk do të kishin asnjë kontakt me të moshuarin, sepse ai flinte në një kat tjetër, siç ka thënë një nga të pandehurit.

Por, papritmas pensionisti ishte para tyre.

33-vjeçari kosovar flet për një “moment shoku”.

Sipas pensionistit, personi i maskuar kishte reaguar me shpejtësi, kishte kapur një thikë apo kamë. Pastaj ai ka treguar se si i tha: “Hesht dhe s’do të ndodhë asgjë”.

Të akuzuarit kanë dhënë version tjetër. Ata kanë thënë se pensionistin e kishin lidhur, porse nuk kanë përdorur thikë. Ata kanë treguar se me vete kishin vetëm një elektrik dore dhe dy kaçavida.

“Çdo hajdut e di se asgjë nuk funksionon pa i pasur këto”, ka thënë një nga të akuzuarit.

Thuhet se njëri nga kosovarët ka mbajtur pensionistin në katin e parë, ndërsa bashkëpunëtori i tij ka kontrolluar katin e sipërm dhe papafingon. Më në fund gjeti “thesarin”.

Prokurori fillimisht kishte vlerësuar se bëhej fjalë për 30 mijë euro. Mirëpo, i akuzuari, i cili ka pranuar fajësinë në fillim të gjyqit, ka treguar se bëhej fjalë për rreth 240 mijë euro. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe pensionisti në gjykatë. Ai ka thënë se 30 mijë euro nga ajo shumë janë të tij. Porse, edhe gruaja e tij e ndjerë ka kursyer gjatë gjithë jetës. Ai e ka ditur se kishte ende paratë e saj, por jo se ishin aq shumë. I pyetur nga gjykatësi se ku ndodhen paratë, njëri nga të akuzuarit tha se ata ndanë me bashkatdhetarin që i rekrutoi. Sipas 33-vjeçarit, që ishte kthyer menjëherë në Kosovë pas krimit, ai përdori paratë për të shlyer borxhet që kishte në vendlindje dhe pjesën tjetër e shpenzoi duke blerë kokainë.

Procesi gjyqësor vazhdon.

Related Articles