Një sulm ajror izraelit ka goditur një kompleks në juglindje të Libanit, duke shkaktuar vdekjen e tre punonjësve të mediave, sipas raportimeve nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve të Libanit.
Stacioni lokal i lajmeve, Al Jadeed, publikoi pamje nga vendi i ngjarjes, ku shiheshin ndërtesa të shembura dhe automjete të shënuara me fjalën “PRESS” nën rrënoja. Ushtria izraelite nuk kishte lëshuar paralajmërim përpara sulmit, transmeton Gazeta Enigma.
Televizioni Al-Mayadeen njoftoi se dy nga gazetarët e vrarë ishin kameramani Ghassan Najar dhe tekniku i transmetimit Mohammed Rida. Gjithashtu, televizioni Al-Manar, i lidhur me Hezbollahun, raportoi se kameramani Wissam Qassim humbi jetën gjatë sulmit në rajonin Hasbaja.
Ali Shoeib, një korrespondent i njohur i Al-Manarit, u filmua duke shprehur dhimbjen për humbjen e kameramanit me të cilin kishte bashkëpunuar për muaj të tërë.
Ai theksoi se ushtria izraelite ishte në dijeni se zona e goditur kishte disa shtëpi që strehojnë gazetarë nga organizata të ndryshme mediale.
Rajoni Hasbaja ka qenë relativisht i qetë, duke tërhequr gazetarë që janë zhvendosur aty për shkak të sulmeve izraelite në qytetin e afërt Marjajun.
Më herët gjatë javës, një sulm ajror kishte goditur zyrat e Al-Mayadeenit në periferi të Beirutit, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë./GazetaEnigma/