Tre shtetas të Shqipërisë janë ekstraduar nga Greqia, Belgjika dhe Serbia, për vepra të ndryshme penale.
Të njëjtit, sipas Policisë së Shqipërisë ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar,
Ekstradohen nga Greqia, Belgjika dhe Serbia, 3 shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Konkretisht, duke iu referuar policisë, në Shqipëri u ekstraduan shtetasit shqiptarë:
-M. H. alias M. P., i kapur në Greqi, pasi Gjykata e Beratit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ai ka investuar për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe ka transferuar shuma të mëdha parash te të afërmit e tij, të ardhura të cilat i ka përfituar nga veprimtaria kriminale e shfrytëzimit për prostitucion, për të cilën është dënuar në Itali. Nga dënimi, shtetasit M. H. alias M. P. i duhet të vuajë 3 vjet e 9 muaj burgim;
-A. G., 40 vjeç, i kapur në Belgjikë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2021, ai kultivoi 140 bimë narkotike Cannabis Sativa, në sipërfaqen e tokës që kishte në pronësi në fshatin Grizë;
-S. O., i kapur në Serbi, pasi Gjykata e Kukësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Ai akuzohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Mercedez Benz”, të denoncuar të vjedhur në Francë.