Janë regjistruar tri humbje jete dhe 17 të prekur nga “Ethet e Nilit” në Shqipëri.
Mjeku, Vasil Llajo për A2 CNN ka dhënë detaje mbi situatën e krijuar nga virusi.
Llajo e përjashtoi mundësinë e një epidemi në vend, pasi sipas tij po merren të gjitha masat për ta shmangur progresin në të tilla nivele të përhapjes së virusit.
“Natyra do të bëjë ciklet e veta siç ka bërë me COVID dhe gripin. I ka ardhur radha Etheve të Nilit për të bërë një shtrirje në Ballkan, por e theksoj që nuk ka vend për panik dhe alarm. Masat që po merren do të frenojnë këtë infeksion viral. Ethet e Nilit nuk transmetohen nga njeriu tek njeriu, vetëm nga mushkonjat që kanë pickuar zogjtë e egër që kanë qenë të infektuar me këtë virus. Nuk besoj se do të shndërrohet në epidemi se nga momenti që kanë rënë kambanat e alarmit kanë nisur të merren të gjitha masat dhe mundësi për tu përhapur reduktohet mjaft pasi masat po aplikohen”, u shpreh Llajo.
Mjeku shpjegoi edhe simptomat që shfaqen pas infektimit përmes pickimit nga mushkonjat, por nënvizoi se 80 për qind e të prekurve janë asimptomatikë.
“S’do të thotë se sa herë pickohemi nga mushkonjat të ngremë alarmin se do sëmuremi me Ethet e Nilit. Por ngaqë janë shfaqur më shumë raste ne duhet të jemi më vigjilentë. Shenjat e para janë të një viroze që fillon me temperaturë, me dh8imbje koke, ndjenjën e të vjellit, dobësi muskulore dhe kështu progreson, 80 për qind e rasteve janë asimptomatikë dhe 20 për qind shfaqin simptomat. Më pak se 1% preken në forma të tilla që rrezikojnë jetën. Ata që e vuajnë më shumë janë të sëmurët me sëmundje sekondare”, tha ai.