Tre njerëz kanë vdekur pas sulmit të Izraelit ndaj një televizioni shtetëror në Iran, raportojnë mediat shtetërore.
Më herët, mediat shtetërore raportuan se një redaktor lajmesh dhe një punëtor tjetër i kompanisë mediave IRIB ishin vrarë në sulm, raporton televizioni BBC.
Ushtria izraelite e goditi zyrën qendrore të televizionit shtetëror iranian në Teheran, pasi forcat izraelite u kishin thënë banorëve të zonës që të evakuoheshin nga zona ku ndodhej ky objekt.
Një transmetim i drejtpërdrejtë u pengua dhe një prezantuese mund të shihej duke u tronditur nga goditja, përderisa po i jepte lajmet.
Ajo më pas shihet duke u larguar nga pamja e kamerës. Hapësira mbushet me tym dhe mbetje para se videoja të përfundojë.