Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë sot se sa i përket tregut të lirë energjetik Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka njoftuar se gjashtë furnizues janë aktiv dhe pesë tashmë kanë dhënë oferta për biznese.
Rizvanolli në një postim në Facebook, në ditën kur bizneset do të mbajnë një protestë, përmes së cilës kërkojnë kohë për të dalë në tregun e lirë energjetik shkruan se të mërkurën kanë takuar prodhuesit vendorë dhe odat ekonomike, për t’iu ofruar bizneseve informatat dhe mjetet që u duhen për t’u përballur me tregun e liberalizuar.
Lexoni të plotë postimin e Rizvanollit:
Diskutimet për tregun e hapur të energjisë vazhdojnë, bashkë me prodhuesit, për prodhuesit!
Dje i mblodhëm në takimin e radhës prodhuesit vendorë dhe odat ekonomike, për t’iu ofruar bizneseve informatat dhe mjetet që u duhen për t’u përballur me tregun e liberalizuar. Në këtë takim:
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) raportoi se 6 furnizues janë aktiv dhe 5 tashmë kanë dhënë oferta për biznese. Ndërsa, interesimi i kompanive rajonale është rritur dhe numri i licencave për furnizim ka shkuar në 21.
SharrCem, të cilët operojnë në treg të hapur që nga viti 2017, ndanë përvojën e tyre të vyeshme.
Korporata Energjetike e Kosovës sqaroi mundësinë ligjore të “furnizuesit të mundësisë së fundit” për ata që ende nuk kanë kontratë.
Ne si Qeveri do të vazhdojmë t’u qëndrojmë afër bizneseve dhe t’i përkrahim në mënyrë praktike, me qëllim që bizneset të marrin vendime të informuara dhe të mos mbesin të pambrojtura.
Takimi i radhës do të jetë me vetë furnizuesit, për të nxitur transparencë dhe kushte të favorshme për të gjithë.