Trendafilova i kthen përgjigje Kuvendit për rezolutën për Gjykatën në Hagë: Sigurojmë përputhje me parimet ndërkombëtare të të drejtave në Hagë

Trendafilova i kthen përgjigje Kuvendit për rezolutën për Gjykatën në Hagë: Sigurojmë përputhje me parimet ndërkombëtare të të drejtave në Hagë

Presidentja e Gjykatës Speciale në Hagë, Ekaterina Trendafilova ka konfirmuar se ka pranuar Rezolutën Nr.10-R-101, që është miratuar më 12 shkurt 2026 në Kuvendin e Kosovës, në lidhje me procedurat gjyqësore para Dhomave të Specializuara.

Në një email që ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës, ajo ka thënë se korniza ligjore që rregullon Dhomat e Specializuara, që janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës, përfshin standarde ndërkombëtarisht të njohura për të drejtat e një gjykimi të drejtë dhe garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit.

“Të gjithë personat që paraqiten para këtyre dhomave, qofshin të dyshuar, të akuzuar apo viktima, mund të shfrytëzojnë mjetet juridike të parashikuara në këtë kornizë, përfshirë referimet në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës. Kjo e fundit, si dhe panelet penale, kanë zbatuar vazhdimisht Kushtetutën e Kosovës dhe kanë ndjekur jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke siguruar përputhje të plotë me parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, thuhet në këtë letër.

Trendafilova e ka uruar Albulena Haxhiun për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës.

“Ky post i dalluar mbart përgjegjësi të rëndësishme në kuadër të rendit kushtetues të Kosovës, dhe ju uroj suksese në ushtrimin e mandatit tuaj”, thuhet në email.

Më 12 shkurt 2026,  është votuar një rezolutë e përgatitur nga një grup ekspertësh dhe e mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës, që ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë gjykim të drejtë për të akuzuarit.

Një nga pikat e rezolutës, e cila nuk ka peshë detyruese, kërkohet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që “ në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi”.

Nga PDK thanë se rezoluta vjen pas shqetësimeve për shkelje të të drejtave të të akuzuarve në Hagë.

Përmes rezolutës, i bëhet thirrje Dhomave dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuara që të zbatojnë standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me të drejtat dhe liritë themelore të të akuzuarve, “përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Ky dokument thotë që shtetet mbështetëse dhe financuese të Gjykatës Speciale marrin përgjegjësi për shkeljet që ndodhin në Gjykatën në Hagë.

Aty po ashtu konfirmohet zotimi i Kosovës për mbështetjen financiare të të akuzuarve në mbështetje të mbrojtjes së tyre.

Related Articles