Kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova, e ka caktuar sot që çështja Januzi dhe të tjerët t’i kalojë Trupit Gjykues I.
Më 3 shtator, Gjykatësja e Procedurës Paraprake njoftoi kryetaren se dosja e çështjes kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës do të jetë gati për t’ia kaluar Trupit Gjykues për sot më 4 shtator.
“Pas njoftimit të Gjykatëses së Procedurës Paraprake se dosja e çështjes Januzi dhe të tjerët do të jetë gati për t’iu kaluar Trupit Gjykues më 4 shtator, Kryetarja e DHSK-së ia caktoi këtë çështje Trupit Gjykues I, në përbërje nga gjykatësit Roland Dekers, Mapi Feld-Folia, Zhilber Biti, dhe Vladimir Mikula (gjykatës rezervë)”, thuhet në njoftim.
Sa i përket kontekstit të çështjes, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u arrestuan në Kosovë më 5 tetor 2023 dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.
Aktakuza thotë se Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari kishin synimin dhe dijeninë e nevojshme për veprat penale të (i) pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes kërcënimit të rëndë dhe (ii) pjesëmarrjes në një grup personash i cili, përmes veprimit të përbashkët, tentoi të pengonte persona zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Ndërsa, Gjykatësi i Procedurës Paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër Haxhi Shalës më 4 dhjetor 2023. Në aktakuzën e konfirmuar, thuhet se Haxhi Shala akuzohet për: (i) frikësim dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.