Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, janë takuar në resortin Mar-a-Lago të Trumpit në Florida, ku në fokus kanë qenë zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës dhe çështja e Hamas-it.
Pas takimit, Trump doli me një deklaratë publike të ashpër, duke paralajmëruar se Hamas-it do t’i jepet një “periudhë shumë e shkurtër” për t’u çarmatosur. Ai tha se nëse kjo nuk ndodh, grupi do të “përjetojë ferrin”.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, gjatë takimit privat mes dy liderëve është arritur dakordësi për një afat dy-mujor për çarmatosjen e Hamas-it. Po ashtu, janë përcaktuar kritere konkrete për këtë proces, përfshirë shkatërrimin e rrjetit të gjerë të tuneleve nëntokësore që Hamasi ka ndërtuar në Rripin e Gazës.
Në rast se Hamasi refuzon të çarmatoset, përgjegjësia për hapat e mëtejshëm, sipas këtij plani, do t’i kalojë Izraelit dhe Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF).
Trump theksoi gjithashtu se emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të mbikëqyrin procesin e zbatimit të marrëveshjes. Ai pretendoi se Hamasi kishte rënë dakord edhe më herët për çarmatosje – një pretendim që është kundërshtuar nga vetë Hamasi – dhe sugjeroi se edhe vende të tjera që kanë mbështetur marrëveshjen e armëpushimit mund të ndërhyjnë ushtarakisht nëse Hamasi refuzon të përmbushë kushtet.
