Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, zhvilluan një bisedë telefonike njëorëshe të shtunën, ku diskutuan gjerësisht për sulmet e ndërsjella ajrore mes Izraelit dhe Iranit, si dhe nevojën për t’i dhënë fund konfliktit, njoftoi Trump përmes një postimi në rrjetin social Truth Social.
“Presidenti Putin më telefonoi këtë mëngjes për të më uruar ditëlindjen në mënyrë shumë të sjellshme, por më e rëndësishmja, për të diskutuar për Iranin, një vend që ai e njeh shumë mirë,” shkroi Trump.
Sipas presidentit amerikan, të dy liderët ranë dakord që konflikti Izrael-Iran duhet të përfundojë. “Ai mendon, ashtu si unë, se kjo luftë mes Izraelit dhe Iranit duhet të marrë fund, për çka i shpjegova se edhe lufta e tij duhet të përfundojë,” tha Trump, duke iu referuar luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Trump shtoi se biseda u përqendrua gjerësisht te situata Izrael-Iran, ndërsa çështja Rusi-Ukrainë zuri më pak kohë, duke lënë të kuptohet se kjo temë do të trajtohet javën e ardhshme. “Ai po kryen shkëmbimet e planifikuara të të burgosurve – një numër i madh i të burgosurve po shkëmbehen menjëherë, nga të dyja palët,” përfundoi Trump në postimin e tij.
Ky njoftim vjen në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të fundit mes Iranit dhe Izraelit, ndërsa sytë e botës janë drejtuar te zhvillimet e mëtejshme në rajon.