Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij rus janë takuar këtë të premte në Alaska, ku do të bisedojnë mbi luftën Ukrainë-Rusi për të gjetur një zgjidhje përfundimtare.
I pari që ka mbërritur në Alaskë ka qenë “Air Force One”, i presidentit Trump dhe 30 minuta më pas ka mbërritur dhe avioni presidencial i Vladimir Putin.
Dy presidentët kanë zbritur në pistë ku kanë shtrënguar duart me njëri-tjetrin.
Një takim i cili ka nisur ngrohtë, ku Trump ka duartrokitur Putin ndërsa afroheshin për shtrëngimin e duarve, i cili ka qenë mjaft i përzemërt.
Më pas dy presidentët kanë hipur në makinën zyrtare të presidentit amerikan, të quajtur “Bisha”.
Të dy presidentët nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në pistën e aeroportit të Anchorage.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se takimi mes dy presidentëve pritet të zgjasë deri në 7 orë.