Presidenti Donald Trump e ka pyetur Volodymyr Zelenskyn nëse Ukraina mund ta godasë Moskën nëse SHBA-të do të siguronin armë me rreze të gjatë veprimi, sipas raportimeve.
“Volodymyr, a mund ta godasësh Moskën?… A mund ta godasësh edhe Shën Petersburgun?”, thuhet të ketë qenë pyetja që Trump i ka bërë presidentit ukrainas, gjatë një telefonate të 4 korrikut midis tyre, raportoi Financial Times të martën, duke cituar njerëz të informuar mbi diskutimet.
Ata thanë se Zelensky u përgjigj: “Absolutisht. Mundemi nëse na jepni armët”.
Trump sinjalizoi mbështetjen e tij për idenë, duke e përshkruar strategjinë si të destinuar për t’i ‘bërë ata [rusët] të ndiejnë dhimbjen’ dhe për ta detyruar Kremlinin të ulet në tryezën e negociatave, sipas dy personave të informuar mbi telefonatën.
Dhe siç vlerësojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, biseda shënon një ndryshim të mprehtë nga qëndrimi i mëparshëm i Trumpit ndaj luftës së Rusisë dhe premtimi i tij i fushatës për t’i dhënë fund përfshirjes së SHBA-së në konfliktet e huaja.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të MailOnline për koment.
Por një zyrtar perëndimor, i cili ishte informuar për telefonatën, tha se biseda pasqyronte një dëshirë në rritje midis aleatëve perëndimorë të Ukrainës për të furnizuar këtë vend me armë të afta për të “sjellë luftën te moskovitët”.
Trump u paralajmërua nga Moska se po e shtyn Rusinë drejt luftës bërthamore me miratimin e tij të ri për armë në Ukrainë dhe kërcënimin me sanksione ndëshkuese.
Kjo vjen pasi presidenti amerikan njoftoi se do të dërgojë raketa mbrojtëse ajrore Patriot në Ukrainë dhe do të vendosë tarifa 100% ndaj Rusisë nëse Vladimir Putin nuk pranon një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh.
Rusia tha të martën se i duhej kohë për t’iu përgjigjur ultimatumit “serioz” të presidentit amerikan Donald Trump për Moskën që të përfundojë konfliktin në Ukrainë ose të përballet me sanksione të reja, por tha se ishte gati për bisedime të reja me Kievin.
“Deklarata e Presidentit Trump është shumë serioze. Sigurisht që na duhet kohë për të analizuar atë që u tha në Uashington”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.