Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se po shqyrton veprime të reja kundër grupeve pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, duke synuar lëvizjen antifashiste Antifa si një “organizatë terroriste”.
Trump theksoi se ai po e “përcaktonte” lëvizjen si një organizatë terroriste.
“Unë gjithashtu do të rekomandoj fuqimisht që ata që financojnë Antifan të hetohen plotësisht në përputhje me standardet dhe praktikat më të larta ligjore.”, tha Trump.
Sipas mediave të huaja, Antifa është një lëvizje ideologjike e organizuar lirshëm, pa një strukturë ose hierarki të qartë udhëheqëse.
Një ditë pasi prokurorët e Utah zbuluan akuza zyrtare kundër të dyshuarit në vrasjen e Kirk, nuk ka asnjë provë që lidh 22-vjeçarin Tyler Robinson me ndonjë grup të jashtëm. Ende mbeten të paqartë motivet e tij të sakta.
Megjithatë, Trump dhe zyrtarët e lartë amerikanë kanë fajësuar vazhdimisht grupet me prirje të majta për krijimin e një atmosfere armiqësie ndaj konservatorëve para vrasjes së Kirk.
Tani, Shtëpia e Bardhë po përgatit një urdhër ekzekutiv mbi dhunën politike dhe gjuhën e urrejtjes, në përpjekje për të adresuar këto sfida.