Një gjyqtar amerikan ka urdhëruar Donald Trump dhe një nga avokatët e tij të paguajnë bashkarisht rreth 1 milion dollarë gjobë për një padi ‘joserioze’ të ngritur ndaj Hillary Clinton dhe disa personave të tjerë.
Në padi, zonja Clinton dhe të tjerët akuzohen se janë përpjekur të manipulojnë zgjedhjet presidenciale të 2016-s, duke e lidhur fushatën e Trump me Rusinë.
Por “Kjo çështje nuk duhet të kishte ardhur kurrë në gjykatë”, ka deklaruar gjyqtari në vendimin e tij.
Përmes padisë, të dorëzuar marsin e kaluar, Trump kërkonte një dëmshpërblim prej 70 milionë dollarësh.
Nisma ligjore u hodh poshtë në shtator dhe në nëntor Trump u gjobit me rreth 65 mijë dollarë dhe penalitete të tjera pasi një nga të pandehurit kërkoi ndëshkimin e tij.
Ndërsa vendimi i së premtes erdhi pasi një grup të pandehurish, përfshirë zonjën Clinton, dorëzuan një kërkesë të re për sanksionimin e ish-presidentit.
Në vendimin e tij, gjyqtari i çështjes e cilësoi zotin Trump një “mjeshtër të abuzimit strategjik të proceseve gjyqësore” dhe tha se padia e tij nuk kishte baza ligjore, por vetëm qëllime politike.
“Asnjë avokat i përgjegjshëm nuk duhet ta kishte dorëzuar atë”, tha përfaqësuesi i togave të zeza.
Tani, trupa gjykuese ka urdhëruar ish-shefin e Shtëpisë së Bardhë, avokaten e tij Alina Habba dhe studion e saj ligjore që të paguajnë mbi 937 mijë dollarë dëmshpërblim.