Shefi i NATO-s, Mark Rutte, është deklaruar rreth mesazhit që ia publikoi dje Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Rutte ka thënë se është “krejtësisht në rregull” që Trump ndau publikisht një mesazh lavdërues që ai i kishte dërguar, ndërsa po udhëtonte drejt Holandës për samitin e liderëve të mërkurën, duke theksuar se gjithçka që shkroi në atë mesazh ishte e vërtetë, shkruan CNN.
“Ajo që i thashë në mesazh, është krejtësisht në rregull që ai e publikoi,” tha Rutte teksa samiti po fillonte në Hagë. “Mendoj se është fakt.”
Ai hodhi poshtë pyetjen e një gazetari që sugjeroi nëse situata ishte disi e turpshme.
“Absolutisht jo,” tha ai.
“Ajo që është në atë mesazh është një deklaratë faktike dhe jam plotësisht në rregull që ai e ndau.”
Mesazhi, të cilin Trump e postoi në rrjetin e tij Truth Social teksa po fluturonte drejt Evropës të hënën, lavdëronte liderin amerikan për presionin ndaj vendeve anëtare të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.
“Ti do të arrish diçka që asnjë president amerikan prej dekadash nuk ka mundur ta realizojë. Evropa do të paguajë në mënyrë të MADHE, ashtu siç duhet, dhe kjo do të jetë një fitore për ty,” shkroi Rutte, përpara se t’i uronte Trump-it udhëtim të mbarë drejt Holandës për samitin e NATO-s.
Në mesazhin e tij, Rutte shprehet me superlativa për Trump:
“Urime dhe faleminderit për veprimin tuaj vendimtar ndaj Iranit… ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme dhe diçka që askush tjetër nuk u guxoi ta bënte”
Mesazhi vazhdon me falënderime për rolin që Trump luajti në shtyrjen e aleatëve europianë për të rritur shpenzimet për mbrojtjen në 5 % të PBB-së deri në 2035, duke nënvizuar se ky është “një moment me të vërtetë i rëndësishëm për Amerikën, Evropën dhe botën.”
Rutte thotë edhe: “Europa do të paguajë siç duhet, dhe kjo do të jetë fitorja juaj.” / Gazeta Enigma.