Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të shkurtojë afatin që i dha homologut rus, Vladimir Putin, për një armëpushim, nga 10 në 12 ditë, mes rritjes së zemërimit për bombardimet e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë dhe mungesës së përparimit drejt paqes.
Duke folur para gazetarëve në Skoci më 28 korrik, Trump tha se është “shumë i zhgënjyer” me Putinin dhe se “nuk kam pse pres” deri në përfundim të afatit fillestar prej 50 ditësh që u kishte vendosur të dyja palëve më herët gjatë këtij muaji, në rast se Moska nuk arrin një marrëveshje me Kievin.
“Do ta vendos një afat të ri nga 10 apo 12 ditësh, duke nisur nga sot”, u tha Trump gazetarëve teksa u takua me kryeministrin britanik, Keir Starmer.
“Kur merresh me dikë për një kohë të gjatë, e di se çfarë do të bëjnë ata, apo nuk do të bëjnë”, tha ai. “I dhashë atij [Putinit] një shans. Nuk po e shfrytëzon”, shtoi ai.
Shtëpia e Bardhë nuk ka specifikuar se çfarë hapash mund të ndërmerren nëse Rusia nuk përgjigjet, megjithëse Trump tha se “ndoshta ende mund të arrijmë një marrëveshje me Rusinë, por është shumë vonë në këtë proces”.
Të premten e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Trumpit “po i humbë durimi” me Moskën dhe “po i humbë dëshira për të vazhduar që të presë”, duke lënë të kuptohet për pasoja të mundshme serioze.
Ukraina mirëpriti deklaratat e Trumpit.
“Falënderojmë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për qëndrimin e tij të vendosur dhe sinjalin e qartë – paqe përmes forcës”, tha përmes një postimi në Telegram, Andriy Yermak, shefi i Zyrës së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Presidenti Trump deklaroi se po e shkurton afatin që i dha Putinit për t’i dhënë fund luftës, sepse beson se përgjigjja është e qartë. Putini kupton vetëm forcën dhe ky mesazh tashmë është përçuar qartë dhe me zë të lartë. Ky është një parim që e mbështet plotësisht edhe presidenti Volodymyr Zelensky”.
Rusia ende nuk ka komentuar zyrtarisht lidhur me deklaratat më të fundit të Trumpit.
Delegacionet ukrainase dhe ruse u takuan më 23 korrik për bisedime paqeje, rundi i tretë në një seri negociatash që nisën më 16 maj, por që kanë bërë rezultuar me pak përparim.