Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje bërthamore me Iranin është shumë afër dhe ka paralajmëruar personalisht kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu që të mos pengojë negociatat.
CNN ka raportuar se burimet e saj konfirmojnë optimizmin për arritjen e marrëveshjes në takimin e ardhshëm.
Lideri amerikan theksoi se ekipi i tij po zhvillon “bisedime shumë të mira” me Iranin, të cilat janë ndërmjetësuar nga Omani dhe të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff. Ai beson se një marrëveshje do të shpëtonte shumë jetë.
Megjithatë, një nga pikat kryesore të diskutimit mbetet nëse Iranit do t’i lejohet të pasurojë uraniumin.
Për të adresuar këtë çështje, është propozuar krijimi i një konsorciumi ndërkombëtar që do të përfshinte vendet e Lindjes së Mesme dhe Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) për të prodhuar uranium të pasuruar për reaktorët civilë iranianë.
Ndërkohë, Netanyahu ka qenë një kundërshtar i fortë i çdo marrëveshjeje me Teheranin dhe ka mbështetur vendimin e mëparshëm të Trump për të tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.
Ka shqetësime se një sulm i mundshëm izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane mund të rrezikojë progresin e arritur në negociata dhe të shkaktojë një konflikt më të gjerë rajonal.
Pavarësisht përparimit, Trump ka pranuar se situata mund të ndryshojë në çdo moment. Ai theksoi se, megjithëse është optimist për një marrëveshje, gjithçka mund të ndryshojë me një telefonatë.