Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ai “po shqyrton fuqimisht” vendosjen e sanksioneve bankare, sanksioneve të tjera dhe tarifave ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
Në një postim në rrjetet sociale, ai tha:
“Bazuar në faktin se Rusia po “godet” absolutisht Ukrainën në fushën e betejës tani, unë fuqimisht jam duke konsideruar në masë të madhe sanksione bankare, sanksione dhe tarifa ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe një marrëveshje përfundimtare për paqe. Për Rusinë dhe Ukrainën, uluni në tryezë tani, para se të jetë tepër vonë. Faleminderit!!!”
Tashmë ka sanksione të shumta amerikane ndaj Rusisë. Nuk është e qartë nëse Trump dëshiron të shtrëngojë më tej ato ekzistuese apo të shtojë sanksione të reja.
Reagimi i Trumpit vjen pasi Rusia e kreu një sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës së energjisë dhe gazit në shumë rajone ukrainase të premten.
Sulme pati edhe para të premtes ku pati edhe viktima. Katër persona vdiqën në një hotel në qytetin e lindjes së presidentit ukrainas Zelensky pas një sulmi rus. Në këtë hotel kishte shtetas amerikanë dhe britanikë, bëri të ditur më pas Zelensky, por asnjë prej tyre nuk u vra.
Zelensky sot u ka bërë thirrje aleatëve t’i bëjnë trysni Rusisë për ta ndalur luftën kundër Ukrainës, duke nisur me një armëpushim ajror dhe detar.