Trump – liderëve evropianë: Ndaloni blerjen e naftës ruse

Trump – liderëve evropianë: Ndaloni blerjen e naftës ruse

Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një bisede telefonike me liderët e “Aleanca e të Vullnetarëve”, që u mblodh në Paris, i ka bërë thirrje Evropës që të ndalojë blerjen e naftës nga Rusia, duke argumentuar se kjo po ndihmon Moskën të financojë luftën kundër Ukrainës.

Lajmi u raportua nga agjencia Reuters, duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë.

“Presidenti Macron dhe udhëheqësit evropianë e thirrën Presidentin Trump në takimin e tyre. Presidenti theksoi se Evropa duhet të ndalojë blerjen e naftës ruse që po financon luftën, pasi Rusia mori 1.1 miliardë euro në shitje karburanti nga BE brenda një viti”, citohet zyrtari i Shtëpisë së Bardhë sipas Reuters.

Gjithashtu, ai ka kërkuar që liderët evropianë të rrisin presionin ekonomik ndaj Kinës, pasi sipas tij, Pekini po mbështet indirekt përpjekjet ushtarake të Rusisë.

Komisioni Evropian ka propozuar legjislacion për të ndërprerë gradualisht importet e naftës dhe gazit rus nga BE-ja deri më 1 janar 2028.

Pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Perëndimin për shkak të luftës në Ukrainë, Rusia ka thelluar ndjeshëm lidhjet ekonomike dhe strategjike me Kinën. Kremlini po zhvendos gjithnjë e më shumë fokusin nga Europa drejt Lindjes, me Kinën dhe Indinë që janë kthyer në blerësit më të mëdhenj të naftës ruse.

Gjatë vizitës së fundit të presidentit rus Vladimir Putin në Pekin, Rusia dhe Kina kanë nënshkruar një marrëveshje të re në sektorin energjetik, duke shtuar edhe më tej bashkëpunimin pas marrëveshjeve ekzistuese për gazin natyror.

Sipas Ministrit rus të Energjisë, Sergei Tsivilev, kompania shtetërore ruse “Rosneft” do të furnizojë Pekinin me 2.5 milion ton shtesë naftë bruto në vit përmes tubacioneve që kalojnë nëpër Kazakistan.

Related Articles